Një tension i ri po përshkallëzohet mes Gjermanisë dhe Polonisë, teksa të dyja qeveritë kanë vendosur të forcojnë kontrollet kufitare për të ndaluar flukset e migrantëve.
Polonia akuzon Gjermaninë se po rikthen në territorin e saj migrantë pa ndonjë arsye të justifikuar, ndërsa Berlini mbron vendimin si një masë për të mbrojtur hapësirën Schengen nga abuzimet e trafikantëve të qenieve njerëzore.
Kryeministri polak Donald Tusk njoftoi se duke nisur nga e diela, 7 korrik, do të rivendosen kontrollet në kufijtë me Gjermaninë dhe Lituaninë, për të frenuar hyrjet e pakontrolluara. “Qëllimi është të minimizojmë flukset e paautorizuara,” u shpreh Tusk gjatë një mbledhjeje të qeverisë.
Protesta dhe akuza mes fqinjëve
Situata është tensionuar edhe më tej nga protestat e organizuara nga e djathta ekstreme në disa pika kufitare, kundër politikave të Gjermanisë për ndalimin e hyrjes së migrantëve. Sipas Tusk, gjatë muajit të fundit Berlini ka ndryshuar qasjen, duke mos lejuar më hyrjen e migrantëve që kërkojnë azil apo status të veçantë në Gjermani.
Kryeministri polak e kritikoi hapur Gjermaninë për “presion të njëanshëm” ndaj Polonisë dhe paralajmëroi se durimi i Varshavës është drejt fundit. Ai vuri në dyshim edhe nëse migrantët që po rikthehen nga Gjermania duhen realisht të pranohen nga Polonia, në përputhje me rregullat e BE-së.
Reagimi i Berlinit: Po mbrojmë Schengen-in
Kancelari gjerman Friedrich Merz mbrojti kontrollet duke theksuar se ato synojnë mbrojtjen e zonës Schengen nga trafiku i qenieve njerëzore. Ai mohoi se Gjermania po largon kërkuesit e azilit që tashmë kanë hyrë në territorin gjerman. “Nuk ka ndonjë ‘turizëm të rregullt kthimi’ nga Gjermania drejt Polonisë. Kemi një problem të përbashkët që duam ta zgjidhim së bashku,” tha Merz.
Ndërkohë, komisari gjerman për marrëdhëniet me Poloninë, Knut Abraham, paralajmëroi se zgjidhja nuk duhet të jetë përplasja. “Nuk mund të zgjidhim asgjë duke shtyrë migrantët herë në njërin kufi e herë në tjetrin, apo duke ndërtuar barriera të reja në kufi,” deklaroi ai për gazetën Die Welt.
Edhe Lituania e përfshirë në masat
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys, konfirmoi se është njoftuar nga Varshava për vendimin e saj dhe shpreson që kontrollet të mos dëmtojnë lirinë e lëvizjes dhe bashkëpunimin për sigurinë në kufirin e jashtëm të BE-së dhe NATO-s.
Polonia vazhdon të akuzojë Bjellorusinë dhe Rusinë për një krizë të qëllimshme migratore që nga viti 2021 – një pretendim që dy vendet e mohojnë kategorikisht.
Një trend në rritje në Evropë
Rastet e pezullimit të lëvizjes së lirë në zonën Schengen po shtohen. Deri tani, 11 nga 29 vendet e zonës Schengen kanë vendosur masa të përkohshme kontrolli për arsye që variojnë nga imigracioni i paligjshëm, kërcënimet terroriste, krizat gjeopolitike apo shëndetësore.
Në mesin e tyre janë: Austria, Danimarka, Franca, Gjermania, Italia, Norvegjia, Holanda, Sllovakia, Sllovenia, Spanja dhe Suedia.