Osmani ndërmerr përpjekjen e dytë për zhbllokimin e ngërçit politik – takim ‘një nga një’ me liderët politikë

by engel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të bëjë një përpjekje të re për të zhbllokuar ngërçin politik që ka mbërthyer vendin pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit. Ajo ka thirrur liderët e partive politike në një raund të dytë takimesh, të cilat do të mbahen gjatë dy ditëve të ardhshme në Presidencë.

Takimet, të planifikuara të nisin të mërkurën nga ora 10:00 deri në 16:00, do të zhvillohen veç e veç me secilin lider politik, ndryshe nga hera e parë kur ishin thirrur në një format të përbashkët. Të enjten, Osmani do të takohet me përfaqësuesit e partive të komuniteteve jo-shumicë.

banner

E para në radhë për takim do të jetë Lëvizja Vetëvendosje, me kryetarin Albin Kurti, e më pas do të pasojnë takimet me Memli Krasniqin nga PDK, Lumir Abdixhikun nga LDK dhe Ramush Haradinajn nga AAK.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe ka vlerësuar angazhimin e presidentes, ndonëse shprehu skepticizëm për ndonjë rezultat konkret.

“Qëndrimi jonë nuk ka ndryshuar. Ne kemi ofruar kompromise prej muajsh, por bllokada po mbahet gjallë nga kryeneçësia politike e VV-së,” deklaroi ai për media.

Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konfirmoi pjesëmarrjen në takim gjatë një ceremonie publike në veri të vendit.

“Kam marrë pjesë më herët dhe do të marr pjesë edhe tash,” tha ai shkurt për gazetarët.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjithashtu kanë konfirmuar se do t’i përgjigjen ftesës së presidentes.

Kosova ndodhet në një situatë të ndërlikuar institucionale pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, me seancën konstituive të Kuvendit që ka dështuar në plot 40 vazhdime që nga mbajtja e saj më 15 prill. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i javës së kaluar e obligon Kuvendin që të përmbyllë konstituimin brenda 30 ditësh, por partitë politike kanë interpretime të ndryshme për afatin dhe për mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.

Një takim i fundit i thirrur nga Kurti me liderët opozitarë përfundoi pa marrëveshje, me akuza të ndërsjella dhe vlerësime negative për mungesë vullneti për kompromis.

VV pretendon se ka ofruar dy opsione kompromisi – votim të fshehtë dhe votim në pako të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – por ato janë refuzuar nga opozita. Kurti ka theksuar se ndonëse VV-ja mban përgjegjësinë për formimin e Qeverisë si fituese e zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit është një obligim kolektiv.

Me përpjekjen e radhës të presidentes Osmani për të gjetur një konsensus politik, mbetet të shihet nëse ky format i ri takimesh do të prodhojë ndonjë lëvizje konkrete për tejkalimin e bllokadës parlamentare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy