Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka hedhur dyshime mbi motivet pas hapjes së urave në veri të Kosovës, duke e cilësuar këtë si pjesë të një projekti politik të orientuar drejt fushatës zgjedhore të 12 tetorit.
I ftuar në emisionin “Click” në RTV21, Peci theksoi se lëvizjet politike në Mitrovicë janë të koordinuara për të ndikuar opinionin publik dhe për të fituar pikë elektorale, veçanërisht në veri të vendit.
“Gjithë ky proces sa i përket urave është fushatë zgjedhore, një projekt i dizajnuar për të krijuar një imazh të stabilitetit, që në fakt është i brishtë dhe potencialisht i rrezikshëm,” u shpreh Peci.
Ai paralajmëroi se pas zgjedhjeve të tetorit, situata mund të komplikojë më tej, posaçërisht nëse konstituohen institucionet lokale me përfaqësim të lartë nga komuniteti serb. Sipas Pecit, një skenar i tillë mund të prodhojë tensione të reja në terren.
“Ne nuk jemi duke menduar për ditën pas 12 tetorit. Do të kemi një kryetar nga komuniteti serb, një asamble me përfaqësim të konsiderueshëm serb. Çka ndodh nëse ky kryetar vendos të vendosë bllokadë mbi urat? Nëse ka protesta të komunitetit serb, KFOR-i mund të ndërhyjë dhe ura mund të mbyllet për qarkullimin e automjeteve,” shtoi ai.