Shtëllunga të mëdha tymi vazhdojnë të dalin nga landfilli i mbetjeve në Elbasan, i cili po digjet prej ditës së martë.
Zjarri ra rreth orës 16:30 dhe u intensifikua gjatë mbrëmjes, duke përfshirë sipërfaqe të mëdha. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, shuarja e plotë e vatrës është ende e vështirë. Shkak për këtë është sasia e madhe e mbetjeve që digjen dhe që mbajnë gjallë flakët.
Paralelisht me ndërhyrjen e zjarrfikësve, disa kamionë dhe një ekskavator po hedhin zhavorr mbi mbeturina, me qëllim që të izolojnë zjarrin.
Edhe pse aktualisht vatra aktive është më e vogël, problem mbetet tymi i dendur që po përhapet në zonat përreth. Era e ka shpërndarë deri në Jagodinë, Bujqes, Muriqan dhe deri në Cërrik, duke krijuar shqetësim për banorët.
Siç duket edhe nga pamjet, një re e madhe tymi ka mbuluar qytetin dhe periferinë, duke e kthyer situatën në një rrezik për shëndetin publik.
Në terren ndodhen zjarrfikësit, Mbrojtja Civile, policia dhe autoritetet përkatëse, që po punojnë prej më shumë se 24 orësh për të vendosur zjarrin nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen e tij.
Kjo është hera e dytë këtë verë që landfilli i Elbasanit përfshihet nga flakët