Sot, më 4 Korrik 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë Ditën e Pavarësisë – një ndër festat më të rëndësishme kombëtare për qytetarët amerikanë.
Kjo datë shënon 249 vjet që kur 13 kolonitë e atëhershme britanike në Amerikën e Veriut shpallën zyrtarisht ndarjen nga Mbretëria e Bashkuar, duke hedhur themelet e një shteti të ri: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklarata e Pavarësisë, e hartuar nga Thomas Jefferson dhe e ratifikuar nga Kongresi më 4 Korrik 1776, është një dokument historik që shpalli jo vetëm pavarësinë politike, por gjithashtu parimet themelore mbi të cilat do të ndërtohej kombi amerikan – liria, barazia dhe e drejta për të ndjekur lumturinë.
Pas shpalljes së pavarësisë, procesi i ndërtimit të institucioneve shtetërore vijoi me miratimin e Kushtetutës amerikane në vitin 1787. Ky dokument përcaktoi strukturën e qeverisë, e cila është ndarë në tre degë kryesore: ekzekutiven (Presidenti), legjislativin (Kongresi) dhe juridikun (Gjykata e Lartë). Ky model qeverisës është konsideruar si një prej sistemeve më të qëndrueshme demokratike në botë.
Për amerikanët, 4 Korriku nuk është thjesht një ditë pushimi, por një moment reflektimi mbi historinë, sakrificat dhe vlerat që përfaqëson ky vend. Festimet mbahen në të gjithë vendin me parada madhështore, piknikë familjarë, koncerte patriotike dhe shfaqje spektakolare me fishekzjarrë që ndriçojnë qiellin në mbrëmje.
Dita e Pavarësisë është gjithashtu një kujtesë për unitetin dhe lirinë që e kanë bërë Amerikën një prej vendeve më të fuqishme dhe me ndikim në arenën ndërkombëtare.