Një aksident i rëndë rrugor me pasojë 1 të vdekur dhe 3 të plagosur ka ndodhur pasditen e së premtes në aksin Shkodër-Lezhë.
Aksidenti ku u përfshinë 3 automjete ndodhi në hyrje të qytetit të Shkodrës, në Kryebushat.
Përmes një njoftimi zyrtar policia bëri me dije se shtetasi T. K., 42 vjeç, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues A. S., 63 vjeç, dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gj. B., 37 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Gjin Bzhangaj, ndërsa janë dëmtuar bashkëshortja e tij, shtetasja J. B., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur, pasagjerë në të njëjtin automjet. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit