Gjatë ceremonisë solemne të diplomimit të gjeneratës 2025 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerësoi arritjet e deritanishme në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimin profesional të FSK-së, duke e konsideruar këtë sektor jetik për sigurinë e vendit.
Në fjalimin e tij, Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për të rritur kapacitetet mbrojtëse përmes investimeve konkrete. “E kemi ngritur buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes në 208 milionë euro. Kemi mbi 300 milionë euro investime në këto katër vite të fundit”, deklaroi ai, duke vënë në pah angazhimin e vazhdueshëm për ndërtimin e një ushtrie moderne dhe profesionale.
Sipas Kurtit, Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të mirë për t’u shndërruar në një ushtri të denjë për aleanca ndërkombëtare. “Ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale”, theksoi ai.
Kryeministri iu drejtua me një mesazh të veçantë edhe kadetëve të sapodiplomuar, duke e cilësuar misionin e tyre si një detyrë fisnike në shërbim të vendit. “Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdojë ndërtimi strukturor dhe profesional i FSK-së dhe që do ta shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën veriatlantike të shteteve demokratike, me aleancën e madhe të NATO-s”, tha Kurti.
Në fund, ai theksoi edhe rëndësinë strategjike të integrimit euroatlantik për Kosovën. “Kosova në aspektin gjeografik, historik dhe politik është Evropë, andaj, pa shmangshëm, jo vetëm i nevojshëm, është anëtarësimi në familjen evropiane demokratike të cilës i takojmë”, përfundoi Kurti.
Ceremonia u përshkua me emocione dhe krenari, duke simbolizuar jo vetëm suksesin individual të kadetëve, por edhe përparimin kolektiv të FSK-së dhe vizionin e saj për të ardhmen.