Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së këtij vendi, duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në përkrahje të lirisë, shtetformimit dhe forcimit të Republikës së Kosovës.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Abdixhiku ka thënë se 4 Korriku i vitit 1776 shënon jo vetëm lindjen e një shteti, por edhe një pikë kthese në historinë botërore që mishëron idealet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës universale për një jetë të denjë për të gjithë popujt.
“SHBA-të janë shembulli më domethënës i angazhimit për një botë më të drejtë, më paqësore dhe më të sigurt. Për shumë vende, përfshirë edhe shtetin tonë, ato janë model frymëzimi dhe mbështetjeje,” tha Abdixhiku.
Ai theksoi se miqësia ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është një themel historik dhe vizion politik i pandryshueshëm, të cilin e kishte artikuluar qartë edhe Presidenti Historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
“Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO dhe BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” citoi Abdixhiku fjalët e Rugovës.
Në fund të mesazhit të tij, kryetari i LDK-së shprehu urimet më të përzemërta për Qeverinë dhe popullin amerikan:
“Urime 4 Korriku! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e përhershme ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve!”