Një aktvendim i ri i Gjykatës Komerciale ka vënë sërish në pikëpyetje vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për largimin e bizneseve të mëdha nga furnizimi universal me energji elektrike dhe futjen e tyre në tregun e hapur.
Eksperti financiar Kushtrim Ajvazi ka bërë të ditur se gjykata ka urdhëruar pezullimin e këtij vendimi, duke vlerësuar se ai është në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.
“Edhe një rast tjetër ku gjykata pranon se vendimi për daljen e bizneseve në tregun e lirë ka qenë i gabuar dhe i jashtëligjshëm,” ka deklaruar Ajvazi në një reagim në rrjetet sociale.
Sipas tij, ky vendim përforcon qëndrimin se vendimet e ZRrE-së kanë pasur pasoja të drejtpërdrejta dhe të dëmshme për mijëra biznese në vend.
“Drejtësia po flet qartë: një vendim që dëmton mijëra biznese nuk mund të qëndrojë! Vazhdojmë tutje! Çdo rast që gjykohet me ligj dhe fakte, po e rrëzon këtë vendim absurd,” shtoi Ajvazi.
Ky është aktvendimi i dytë brenda pak javësh që vë në dyshim legjitimitetin e veprimeve të ZRrE-së në raport me tregun e hapur të energjisë. Bizneset e prekura kanë kundërshtuar me forcë kalimin e tyre në treg të lirë, duke e konsideruar të parakohshëm dhe të papërgatitur një veprim të tillë, sidomos në mungesë të një infrastrukture funksionale të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit.
ZRrE ende nuk ka reaguar zyrtarisht lidhur me këtë aktvendim të ri. Megjithatë, presioni ligjor dhe publik ndaj vendimeve të saj pritet të rritet, ndërsa sektori privat dhe përfaqësuesit e bizneseve kërkojnë rikthim në sistemin e mëparshëm derisa të krijohen kushtet për një treg të hapur të drejtë dhe funksional.
Ky është vendimi:
