Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka deklaruar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk zgjedh mjete për të qëndruar në pushtet.
Dedaj, në një postim në Facebook, shkruan se “Albin Kurti nuk zgjedh mjete, madje as ato të dhunshme, për të qëndruar në pushtet”.
Reagimi i Dedajt erdhi pas evakuimit të ndërtesës së parlamentit të Kosovës për shkak të një alarmi për bombë, pikërisht para seancës së 42-të të vazhduar të Kuvendit konstituiv.
Policia e Kosovës njoftoi se deputetët, si dhe të gjithë të pranishmit në parlament, janë evakuuar pasi është marrë një njoftim për një mjet shpërthyes. Përpara ndërtesës së Kuvendit të Kosovës është shtuar menjëherë prania e pjesëtarëve të policisë, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi.
Kurti e ka lëshuar ndërtesën e parlamentit pa dhënë deklarata, ndërsa disa deputetë të opozitës u kanë thënë gazetarëve se situata “nuk u duket serioze”.