Deputeti i sapo betuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Krenar Xhaferi, ka reaguar sot pak para fillimit të seancës së 42-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që Kuvendi të rikthehet te rendi fillestar i ditës, që parasheh votimin e hapur për kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Në një prononcim për media, Xhaferi theksoi se situata aktuale në Kuvend është e qartë dhe se çdo vonesë apo shmangie nga rendi procedural përbën një shkelje të vullnetit politik të shumicës së re parlamentare.
“Situata është shumë e qartë. Duhet të kthehemi në rendin fillestar të ditës. Rendi thotë votim i hapur,” tha ai.
Deputeti i LDK-së kritikoi ashpër, siç e quajti ai, qëndrimin kryeneç të pozitës, duke thënë se në mungesë të numrave, në një demokraci, kërkohet marrëveshje dhe gatishmëri për dialog.
“Fillimisht kujtoj se kur nuk ke numra, ke marrëveshje. Ne po përballemi me një kryeneçësi politike që nuk e njeh gjuhën e dialogut dhe komunikimit, por vetëm gjuhën e përçarjes,” u shpreh Xhaferi.
Ai shtoi se ky ngërç institucional po dëmton jo vetëm funksionimin demokratik të Kuvendit, por edhe pritjet e qytetarëve për një tranzicion të qetë politik dhe përfaqësim të vullnetit të tyre.