Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka hedhur akuza të ashpra ndaj opozitës, duke e akuzuar për përpjekje për të marrë pushtetin përmes rrugëve juridike dhe jo përmes vullnetit të qytetarëve. Këto deklarata ai i bëri para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike dhe manovrave në Gjykatën Kushtetuese.
Murati tha se opozita po përpiqet të përmbysë rezultatin zgjedhor përmes, siç i quajti ai, “fiskulturave juridike” dhe duke interpretuar aktgjykimet në mënyrë selektive.
“Ne po e shohim që opozita, përkundër aktgjykimit, nuk ka reflektuar. Tendenca apo synimi i tyre është ajo çfarë nuk ia ka dhënë populli me votë, po provojnë që ta marrin përmes Gjykatës Kushtetuese,” deklaroi Murati.
Ai përmendi se edhe vetë Kushtetuesja ka sqaruar se votimi i fshehtë është në përputhje me Kushtetutën, duke hedhur poshtë pretendimet për shkelje procedurale në zgjedhjen e strukturave të reja parlamentare.
“Edhe Gjykata Kushtetuese ua ktheu përgjigjen që votimi i fshehtë është në përputhje me Kushtetutën,” shtoi ai.
Ministri në detyrë kritikoi opozitën për, sipas tij, përpjekje për të ndikuar në formimin e institucioneve jashtë procesit demokratik.
“Po tentojnë që atë çfarë nuk ia ka dhënë populli me votë, ta marrin në tavolinë. Edhe këtu do të dështojnë. As qeveria, as Kuvendi nuk mund të merren me zor,” theksoi Murati.