Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas përmbytjeve të rënda që goditën Teksasin Qendror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur solidaritet të plotë me qytetarët dhe autoritetet amerikane.
Përmes një postimi në rrjetin social “X” (ish-Twitter), Presidentja Osmani ka thënë se Kosova qëndron pranë Guvernatorit të Teksasit, Zëvendësguvernatorit dhe gjithë popullit amerikan në këto momente të vështira.
“Kosova qëndron në solidaritet me Guvernatorin, Zëvendësguvernatorin dhe popullin e Teksasit pas përmbytjeve shkatërruese në Teksasin Qendror. Lutjet tona janë me të gjithë ata që kanë humbur të dashurit ose mbeten të zhdukur, si dhe me ndihmësit e parë të guximshëm në vijën e parë të frontit”, ka shkruar Osmani.
Përmbytjet në Teksas kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe fatkeqësisht, raportohen edhe viktima dhe persona të zhdukur. Ekipet e emergjencës po punojnë pandërprerë për të ndihmuar të prekurit dhe për të rikthyer normalitetin në zonat e goditura.