Presidenti Donald Trump është shprehur i kënaqur me përgjigjen “pozitive” që Hamasi i ka dhënë propozimit të SHBA-së për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza.
Zoti Trump u tha gazetarëve në bordin e “Air Force One” të premten në mbrëmje se përgjigja e Hamasit ishte “e mirë” dhe sugjeroi se një marrëveshje mund të arrihet që javën e ardhshme.
“Duhet të bëjmë diçka për Gazën… Po dërgojmë shumë para dhe shumë ndihma. Mendoj se ka qenë shumë pozitive. Është një përgjigje e mirë”, tha ai, duke shtuar se është “shumë optimist” se një marrëveshje mund të arrihet javën e ardhshme.
Hamasi deklaroi të premten se i është përgjigjur propozimit të Shtëpisë së Bardhë për armëpushim mes grupit militant palestinez dhe Izraelit me një “frymë pozitive” dhe është i gatshëm të fillojë negociatat për zbatimin e planit.
“Lëvizja Hamas ka përfunduar konsultimet e brendshme, si dhe diskutimet me fraksionet dhe forcat palestineze në lidhje me propozimin më të fundit nga ndërmjetësit për ndaljen e agresionit kundër popullit tonë në Gaza,” thuhet në deklaratën e Hamasit në faqen e tij zyrtare.
“Lëvizja ia ka dorëzuar përgjigjen e saj ndërmjetësve vëllazërorë [të Katarit dhe Egjiptit], e cila karakterizohet nga një frymë pozitive. Hamasi është plotësisht i përgatitur, me gjithë seriozitetin, për të hyrë menjëherë në një raund të ri negociatash mbi mekanizmin e zbatimit të këtij kuadri.”
Nuk është ende e qartë nëse deklarata e Hamasit nënkupton se ka pranuar propozimin e presidentit Trump për një armëpushim 60-ditor.
Hamasi po kërkon garanci që armëpushimi fillestar do të çojë në një përfundim të plotë të luftës, e cila tashmë ka hyrë në muajin e 21-të. Zoti Trump ka ushtruar presion të madh që të arrihet një marrëveshje, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme për të diskutuar për këtë çështje.
Hamasi nuk ka sqaruar se cilat janë çështjet që ende mbeten për t’u zgjidhur. Megjithatë, një zyrtar i afërt me bisedimet tha se Hamasi ka paraqitur disa kërkesa.
Këto përfshijnë: tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza në pozicionet që mbanin më 2 mars, para se të thyhej armëpushimi i mëparshëm; hyrjen e ndihmës në Gaza në sasi të mjaftueshme përmes OKB-së dhe agjencive të tjera ndërkombëtare humanitare; si dhe vazhdimin e negociatave përtej 60 ditëve, nëse është e nevojshme, për të arritur një marrëveshje për përfundimin e përhershëm të luftës dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura.