Një ngjarje e pazakontë dhe tejet e veçantë ka ndodhur më 4 Korrik, në Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Në zemër të Bronx-it, në një nga lagjet më të larmishme dhe plot jetë të New York-ut, një Barber Shop i drejtuar nga dy vëllezër shqiptarë nga Krysheva e Madhe, Komuna e Klinës, është bërë qendra e vëmendjes.
Prend dhe Xhin Gjokaj, të cilët prej vitesh jetojnë në SHBA dhe me shumë përkushtim udhëheqin biznesin e tyre në Bronx, janë befasuar nga një vizitë krejtësisht e papritur. As më shumë e as më pak, në prag të festimeve të 4 Korrikut, dy emra të njohur të familjes presidenciale amerikane – Eric Trump, djali i Presidentit Donald Trump, dhe Lucas Trump, nipi i tij – kanë trokitur në dyert e “barberhonës” së tyre për një prerje flokësh.
Lajmin e ka bërë publik vetë Xhin Gjokaj në profilin e tij në Facebook, ku ndau edhe fotografi ekskluzive me Eric dhe Lucas Trump. Në një postim emocionues, Xhini ndau detaje të veçanta nga momenti i vizitës së papritur dhe biseda që zhvilloi me Eric Trump.
Sipas tij, Eric u tregua i informuar në mënyrë mbresëlënëse për shqiptarët, Shqipërinë dhe Kosoven duke e quajtur popullin shqiptar si “një popull i mrekullueshëm” dhe “vend me histori e kulturë të jashtëzakonshme”. Ai madje përmendi se motra e tij ndodhej aktualisht në Shqipëri, çka tregon një interes të veçantë të familjes Trump për vendin tonë.
Por, si ndodhi që pikërisht biznesi i vëllezërve Gjokaj u zgjodh nga familja Trump? Edhe për vetë Xhin Gjokajn, kjo mbetet një mister. Ai rrëfen se pak para ardhjes së tyre, në lokalin e tyre ishin vërejtur disa individë civilë, të cilët kishin inspektuar vendin me kujdes. Vetëm pasi u shfaqën Eric dhe Lucas, ata kuptuan se gjithçka kishte qenë e planifikuar në heshtje.
“Është një ndjenjë krenarie që nuk përshkruhet me fjalë,” – shkruan Xhini në postimin e tij. “Fakti që një familje e tillë zgjedh pikërisht ne, tregon se puna jonë po vlerësohet dhe po arrin tek njerëzit më të rëndësishëm të këtij vendi.”
Ky rast nuk është vetëm një moment krenarie për vëllezërit Gjokaj, por edhe një dëshmi e suksesit dhe ndikimit të komunitetit shqiptar në diasporë, sidomos në SHBA, ku shumë bashkatdhetarë janë bërë pjesë e historive të suksesit, integrimit dhe kontributit të vërtetë në shoqërinë amerikane.
Vëllezërit Gjokaj janë një shembull frymëzues i punës së ndershme, përkushtimit dhe krenarisë për rrënjët e tyre. Dhe vizita e familjes Trump në biznesin e tyre është, ndoshta, vetëm një fillim i historive të mëdha që do të vijnë.

