Deputetja Duda Balje ka shprehur optimizëm lidhur me mundësinë e zgjidhjes së ngërçit politik para seancës së 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Në një prononcim për media, ajo ka theksuar nevojën për marrëveshje mes partive shqiptare dhe ka lënë të kuptohet se një vendim i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për të marrë pjesë në votim, do të ishte vendimtar për zhbllokimin e procesit.
“Unë shpresoj që partitë shqiptare do të bëjnë marrëveshje mes vete dhe vota ime s’ka me qenë diçka që mundet me bë ndryshim,” deklaroi Balje.
Ajo theksoi nevojën që palët politike të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të punojnë për dalje nga kriza institucionale.
“Gjithqysh duhet me dalë prej kësaj krize, besoj fort se një anë duhet të lëshojë pe, dhe kemi disa ditë për me pa çfarë plane ka,” u shpreh deputetja.
Balje vlerësoi se nëse AAK vendos të marrë pjesë në votim, atëherë mungesa e votave për konstituimin e Kuvendit nuk do të jetë më pengesë.
“Nëse AAK voton, besoj që nuk ka me pas problem për vota,” shtoi ajo.
Kriza politike e krijuar pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit po zgjat prej muajsh, ndërsa seanca e radhës, e 43-ta me radhë, pritet me skepticizëm nga opinioni publik dhe ndërkombëtarët.