Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas alarmit për bombë që ndodhi pak ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një veprim të rrezikshëm dhe me motive politike për destabilizim.
Gjatë një deklarate për media, Haziri fillimisht falënderoi Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë dhe profesional, por paralajmëroi se ngjarje të tilla nuk janë të rastësishme dhe bartin mesazhe të rënda për rendin demokratik në vend.
“Nuk mundesh edhe procedurë edhe marrëveshje politike, edhe me bomba edhe pa bomba,” tha ai.
Haziri shtoi se mentaliteti pas këtyre alarmeve të rrejshme është i njohur për qytetarët e Kosovës dhe ka për qëllim tensionimin e situatës politike.
“E dinë kush janë, a folin me theks sllav a krahinor të Kosovës, nuk ka rëndësi, me rëndësi që krijimi nuk ka etni,” tha ai, duke nënkuptuar se motivet nuk janë etnike, por politike dhe destabilizuese.
Ai e cilësoi këtë veprim si të orkestruar nga grupe që nuk përfaqësojnë asnjë etni, por që kanë një qëllim të përbashkët: dëmtimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Ata që janë bashkërenduar për interesa politike me rënduar Kosovën e me dëmtuar, janë pa etni, janë armiku më i madh i Republikës sonë,” u shpreh Haziri.
Alarmi për bombë në Kuvend u konfirmua si i rremë nga autoritetet, por ngjarja shkaktoi ndërprerje të punës dhe rriti shqetësimin për sigurinë e institucioneve të larta shtetërore.