Përparim Rama akuzon Qeverinë Kurti për bllokadë të qëllimshme ndaj Prishtinës: “Kjo nuk është më çështje politike – kjo është hakmarrje”

by engel

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Qeverisë së Kosovës, duke e akuzuar atë për bllokadë të qëllimshme buxhetore ndaj Kryeqytetit, që sipas tij po cenon drejtpërdrejt mirëqenien e qytetarëve. Në një deklaratë të gjatë në rrjetin social Facebook, Rama e cilëson situatën si “jo-njerëzore, të mjerueshme dhe thellësisht të rrezikshme”.

Sipas kryetarit të Prishtinës, qyteti është pa buxhet prej më shumë se gjashtë muajsh, gjë që ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve komunale. “Kjo nuk është më një vonesë procedurale. Është një bllokadë e qëllimshme, e motivuar politikisht dhe në kundërshtim të plotë me interesin publik,” shkruan Rama.

banner

Ai ngriti alarmin për situatën në çerdhe, kopshte, qendra të kujdesit shëndetësor dhe transportin publik, duke deklaruar se të gjitha këto shërbime janë në rrezik për shkak të mungesës së mjeteve financiare. Programet sociale janë pezulluar, dhe qytetarët – nga familjet në nevojë, te të moshuarit dhe artistët – janë lënë pa asnjë mbështetje institucionale.

Më shqetësuese, sipas tij, është edhe ndalimi i përdorimit të të hyrave vetanake të komunës, që i janë mbledhur vetë qytetarëve të Prishtinës. “Ky është një akt i paprecedent dhe i papranueshëm që i shndërron qytetarët në pengje të një kalkulimi politik,” theksoi Rama.

Ai lidh drejtpërdrejt këtë bllokadë me zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke akuzuar Qeverinë Kurti se po përdor mjete financiare për të ndëshkuar politikisht komunën, vetëm pse nuk drejtohet nga pushteti qendror. “Kjo nuk është udhëheqje – është hakmarrje politike dhe mbi të gjitha, është një shkelje flagrante e të drejtave të qytetarëve për shërbime, siguri dhe mirëqenie,” thuhet në reagimin e tij.

Rama njoftoi se për të tretën herë radhazi i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Financave me kërkesën për zhbllokimin e fondeve në përputhje me ligjin, ndërsa paralajmëroi përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe institucionale për të mbrojtur qytetarët e Kryeqytetit nga “kjo padrejtësi flagrante”.

Ky reagim i fuqishëm vjen në një kohë të tensionuar politike, duke e shtuar më tej debatin për përplasjet mes pushtetit lokal dhe atij qendror, si dhe duke vënë në pikëpyetje gatishmërinë e institucioneve shtetërore për të garantuar barazi dhe funksionim të pavarur të komunave, pa ndikime politike.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy