Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u paraqit sot në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, për të mbrojtur veten dhe mandatin e saj para se të zhvillohet seanca vendimtare për mocionin e mosbesimit të enjten.
Mocioni i mosbesimit u paraqit nga eurodeputeti rumun Gheorghe Piperea (Grupi ECR), i cili e akuzon Von der Leyen për mungesë transparence në lidhje me skandalin e njohur si “Pfizergate”.
Von der Leyen me ton të vendosur dhe një qasje të qartë kundërsulmuese mbajti një fjalim në sallën plenare të Parlamentit Europian, ku u përpoq të mbrojë reputacionin e saj politik përballë akuzave që ka ngritur Piperea.
Në rreshtat e parë të sallës ndodheshin disa nga emrat më të lartë të Komisionit Europian, përfshirë diplomaten e lartë Kaja Kallas dhe komisioneren për konkurrencë Teresa Ribera.
Pa e zbutur gjuhën, Von der Leyen e quajti këtë nismë trukun më të vjetër të ekstremistëve, një deklaratë që provokoi reagime dhe fishkëllima nga disa eurodeputetë në sallë.
Ajo gjithashtu sulmoi drejtpërdrejt Gheorghe Piperea, duke e akuzuar se përpiqet të destabilizojë institucionet europiane përmes pretendimeve të rreme dhe teorive konspirative.
“Ai përdor recetën më të vjetër të ekstremistëve: nxit ndarjen në shoqëri, minon besimin ndaj demokracisë, përhap pretendime të rreme për manipulim zgjedhor dhe përpiqet të rishkruajë historinë e menaxhimit të suksesshëm të pandemisë nga ana e Europës – nga vaksinat deri te fondi ‘Next Generation’.
Dhe tani po përsërit teori të diskredituara për mesazhe me shkrim.
Mund të zgjedhim të ndjekim z. Piperea në botën e tij të teorive konspirative dhe planeve të errëta që ai u atribuon Brukselit, ose mund të themi hapur atë që është në të vërtetë kjo nismë: një përpjekje brutale për të krijuar ndasi mes institucioneve tona, mes forcave pro-europiane dhe pro-demokratike të këtij Parlamenti”, tha Von der Leyn.

