Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, ku një taksi është përplasur me një kamion që përdorej për mbledhjen e mbeturinave.
Ngjarja është regjistruar në një nga segmentet e frekuentuara të rrugës, ndërsa shoferi i taksisë ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e përplasjes. Sipas burimeve nga vendngjarja, ai ka qëndruar i bllokuar në kabinën e makinës për disa minuta, deri në ndërhyrjen e forcave të policisë dhe ekipeve të emergjencës.
I lënduari është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Lezhës, ku ndodhet në kujdesin e mjekëve. Ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Shkaqet e aksidentit mbeten të paqarta, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët dhe po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.