Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga emërimi në muajin shkurt. Gjatë kësaj vizite, Sorensen ka ndërmarrë një hap domethënës në drejtim të dialogut dhe bashkëpunimit rajonal, duke mbledhur në një tryezë ambasadorin e Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, dhe ambasadorin e Serbisë, Dragan Sutanovac.
Takimi është mbajtur në ambientet e Ambasadës së BE-së në Uashington, ku përveç diplomatëve nga Prishtina dhe Beogradi, morën pjesë edhe ambasadorë të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ata u pritën nga ambasadorja e BE-së në SHBA, Jovita Neliupšienė.
Ambasadorja Neliupšienė tha se diskutimet janë përqendruar në temat kyçe të sigurisë, stabilitetit dhe perspektivës së zgjerimit të rajonit drejt Bashkimit Evropian.
“Kënaqësi të mirëpres Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, Sorensen, gjatë vizitës së tij të parë në SHBA në këtë pozitë. Krahas ambasadorëve nga Ballkani Perëndimor, në agjendë ishin siguria, stabiliteti dhe zgjerimi. Uniteti është çelësi për të ecur përpara”, ka deklaruar Neliupšienė.
Megjithëse nuk është bërë publik ndonjë takim i Sorensen me zyrtarë të Administratës së Presidentit Trump, prania e tij në SHBA dhe takimi me përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës dhe Serbisë shihet si sinjal i angazhimit të shtuar të BE-së për avancimin e procesit të dialogut dhe integrimit evropian të rajonit.
A pleasure to welcome @EUSR_Dialogue Sørensen during his first visit to the US in this role. Alongside Ambassadors from the Western Balkans, security, stability, and enlargement were on the agenda. Unity is the key to move forward. pic.twitter.com/iPJlE2aWY7
— Jovita Neliupšienė (@EUAmbUS) July 7, 2025