Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka kërkuar një hetim të plotë dhe transparent nga autoritetet kosovare në lidhje me vdekjen e dyshimtë të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili ndërroi jetë pas ndalimit nga Policia e Kosovës në Lipjan në mesnatën e 7 korrikut.
Përmes një deklarate publike, shefi i EULEX-it, Giovanni Barbano, theksoi nevojën për zbardhjen e menjëhershme të rrethanave të ngjarjes.
“Marr parasysh fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës pas vdekjes së një personi në Lipjan, presim që autoritetet kompetente të sqarojnë plotësisht dhe në mënyrë transparente rrethanat e rastit, duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut,” – shkroi Barbano në platformën X.
Sipas raportimeve të mediave, pesë zyrtarë policorë janë arrestuar si të dyshuar për përfshirje në incidentin që rezultoi me vdekjen e Zejnullahut. Ata janë:
– Ibrahim Nela, Rreshter – Stacioni Policor Lipjan, DRP Prishtinë
– Artidon Konxheli, Zyrtar – SP Lipjan
– Liridon Rrahmani, Zyrtar – SP Lipjan
– Albian Ratkoceri, Zyrtar – SP Lipjan
– Endrit Beqiri, Zyrtar – Stacioni Policor Ferizaj, DRP Ferizaj
Hetimet janë në zhvillim e sipër nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndërsa EULEX dhe organizata të tjera ndërkombëtare do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet. Rasti ka ngjallur reagime të shumta nga publiku dhe organizatat për të drejtat e njeriut që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.