Gazetari i njohur Xhezair Dashi ka ngritur një çështje me interes publik lidhur me titullin akademik të deputetit Nezir Kraki. Dashi ka bërë të ditur se është përballur me sjellje arrogante dhe kërcënuese nga ana e Krakit, vetëm pse kërkoi informacion zyrtar për titullin e pretenduar “profesor”.
Sipas gazetarit, ai i ka kërkuar Krakit të ofrojë prova të doktoratës së tij të kryer në Francë, siç pretendon publikisht. Në vend të një përgjigjeje institucionale apo profesionale, Dashi thotë se mori një reagim të papërshtatshëm me tone kërcënuese.
Në një postim në Facebook, gazetari shkruan:
“Sapo e mora një kërcënim nga ‘Profesori’ Nezir Kraki: ‘ruaju, ruaju prej shpifjes se njerëzit as nuk ta falin as nuk ta harrojnë, hajt’ edhe ‘rri para kijeve’. Dhe, a e dini pse? Sepse i kërkova konfirmim zyrtar që ka doktoratë në Francë dhe disertacion të doktoratës. Qoftë edhe veç një titull të atij disertacioni, një fotografi, një copë letër”, shkruan gazetari Dashi.
Dashi thekson poashtu se e ka marrë këtë temë për ta trajtuar me seriozitet maksimal dhe do ta çojë deri në fund, duke kontaktuar institucionet përkatëse në Francë, përfshirë edhe universitetin ku Kraki pretendohet të jetë i angazhuar si ligjërues, si dhe Ministrinë e Arsimit të Francës.
Ai shton se kërkimi në platformën zyrtare Theses.fr, ku arkivohen të gjitha doktoratat e mbrojtura në Francë, nuk e ka nxjerrë emrin e Nezir Krakit në asnjë rezultat.
“Profesori që është vërtet profesor — dhe atë në Paris — ta jep doktoratën me krenarinë më të madhe, si majë të akademizmit të tij. Dhe, supozohet të jetë i lumtur për interesimin. Ta shohim :)”, përfundon gazetari Dashi.
Kjo ngjarje ka ngritur sërish pyetjen për transparencën dhe llogaridhënien e përfaqësuesve publikë, sidomos kur mbajnë tituj akademikë që ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e tyre nga publiku.