Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një takim në selinë e partisë me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde. Temë qendrore e diskutimit ishte kriza politike aktuale në vend dhe rrugët për zgjidhjen e saj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Krasniqi bëri të ditur se në këtë takim ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së që bllokada politike të tejkalohet duke respektuar plotësisht vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
“Diskutuam për zhvillimet më të fundit politike, qëndrimet e PDK-së dhe rrugën e domosdoshme përpara për tejkalimin e bllokadës politike, në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese,” shkroi Krasniqi.
Ai gjithashtu ka falënderuar ambasadorin Rohde për, siç u shpreh, “mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe zërin e tij të qartë në mbrojtje të demokracisë dhe funksionalitetit institucional”.