Pas vdekjes së dyshimtë të një të riu 27-vjeçar në Lipjan, që dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e dhunës gjatë ndalimit nga ana e Policisë së Kosovës, reagimet publike kanë qenë të vakëta, për të mos thënë të turpshme. Në një rast ku humbja e jetës është drejtpërdrejt e lidhur me përdorimin e forcës nga autoritetet, shoqëria kosovare, për çudi, duket se e ka zgjedhur heshtjen.
Ky apati qytetare ka ngacmuar edhe avokatin dhe aktivistin e njohur, Arianit Koci, i cili ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kritikuar jo vetëm shoqërinë për mungesë reagimi, por edhe institucionet për paralizën e tyre morale e funksionale.
Në postimin e tij, Koci ka bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me rastin e George Floyd në Shtetet e Bashkuara, ku shoqëria amerikane reagoi me protesta masive që tronditën sistemin politik dhe policor. Ndërsa në Kosovë, pas një vdekjeje të ngjashme, shoqëria reagoi me disa statuse në Facebook – nga divani.
“Te na, vdes një djalë 27-vjeçar – në duart e policisë. Reagimi? Disa statuse prej shtëpisë… Populli – në gjumë.” – shkruan Koci me ton kritik.
Kjo është një thirrje e hapur për reflektim. Pse jemi të heshtur përballë një akti që potencialisht përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut? Ku është zëri i organizatave të shoqërisë civile, ku janë protestat spontane të studentëve, qytetarëve, prindërve, rinisë?
Për më tepër, Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të 43-tën herë të formohet, duke dëshmuar se jo vetëm qytetarët, por edhe elitat politike janë të plogëta e të ndara nga realiteti i dhimbshëm që ndodh në rrugët e vendit.
Në vend të protestës dhe kërkesës për drejtësi, ka pasivitet dhe indiferencë. Ky rast, si shumë të tjerë para tij, po rrezikon të mbyllet nën hije pa asnjë përgjegjësi reale.
Deri kur kështu?
Kosova nuk ka luksin të heshtë më. Kur humbet jeta e një qytetari nën kujdesin e autoriteteve, reagimi duhet të jetë qytetar, institucional dhe masiv. Ndryshe, jo vetëm që dështojmë si shoqëri, por bëhemi bashkëfajtorë në krijimin e një shteti që hesht para padrejtësisë.