Bizneset në bllokadë – Shteti padrejtësisht i ndal automjetet e tyre të punës për qarkullim në rrugë

by engel

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DHTIK) ka kërkuar zyrtarisht nga Avokati i Popullit që të nisë hetimet për, siç e quan ajo, “bllokadën arbitrare” që Policia e Kosovës dhe Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) po u bëjnë bizneseve në procesin e regjistrimit të automjeteve.

Në një komunikatë zyrtare, Dhoma thotë se kjo bllokadë është rezultat i një interpretimi të diskutueshëm të Nenit 89, paragrafi 4 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, që po zbatohet nga 31 maj 2025. Sipas këtij interpretimi, nëse një kompani ka qoftë edhe një gjobë të papaguar për ndonjë automjet, nuk mund të regjistrojë asnjë tjetër, pavarësisht nëse automjetet tjera janë të pastër në aspektin ligjor.

banner

“Bizneset janë duke u ndëshkuar në mënyrë kolektive për shkelje individuale të ndonjë mjeti apo shoferi. Kjo jo vetëm që është e padrejtë, por bie ndesh edhe me Kushtetutën,” thuhet në reagimin e DHTIK, duke iu referuar Nenit 46 të Kushtetutës së Kosovës, që garanton të drejtën për pronë.

Sipas Dhomës, shumë kompani anëtare të saj janë përballur me refuzim për regjistrim automjetesh për shkak të një gjobe të vetme në një automjet tjetër, duke u detyruar të paguajnë me urgjencë të gjitha gjobat në sistem, përfshirë edhe ato që janë në proces ankimimi.

Për më tepër, DHTIK akuzon institucionet për “kontrabandim normativ”, duke futur një dispozitë që lidhet me regjistrimin në një nen që trajton ekskluzivisht ndalesat e parkimit. Kjo, sipas tyre, ka sjellë pasiguri ligjore dhe ka hapur rrugë për interpretime arbitrare nga zyrtarët e rendit dhe administratës.

“Në vend të zbatimit të drejtë dhe proporcional të ligjit, kemi një dënim kolektiv që po i kushton ekonomisë vendore”, thuhet më tej në deklaratë.

Për pasojë, qarkullimi i mallrave dhe shërbimeve po vonohet, kontratat po anulohen dhe shumë kompani janë detyruar të mbajnë automjete jashtë qarkullimit për shkak të pamundësisë për t’i regjistruar. Kjo, sipas Dhomës, po ndikon edhe në rritjen e veturave të paregjistruara në trafik – një tjetër problem që rrezikon sigurinë rrugore.

Në një takim të mbajtur muajin e kaluar me Policinë dhe ARC-në, Dhoma ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij paragrafi, derisa të bëhet një rishikim i tij në përputhje me frymën dhe qëllimin e ligjit.

Deri më tani, nuk ka pasur ndonjë reagim publik nga institucionet përgjegjëse për këtë çështje. DHTIK thotë se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të mbrojë interesat e bizneseve anëtare.

Komunikata e plotë:

DhTIK i kërkon Avokatit të Popullit nisjen e hetimit për bllokadën e automjeteve të bizneseve

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka kërkuar Institucionit të Avokatit të Popullit qe të nis hetimet në lidhje me bllokadën që Agjencia e Regjistrimit Civil dhe Policia e Kosovës ua kanë bërë një numri të madh të bizneseve sa i përket regjistrimit të automjeteve.

Dhoma ka pranuar ankesa të shumta nga anëtarët e saj lidhur me një zbatimin e një paragrafi të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, respektivisht Neni 89, paragrafi 4, e cila ka filluar të zbatohet nga Policia e Kosovës, sipas së cilës ndalohet regjistrimi i çdo automjeti të një subjekti juridik nëse ekziston qoftë edhe një gjobë e papaguar për ndonjë automjet tjetër në pronësi të të njëjtit subjekt.

Kjo praktikë ka filluar të zbatohet më datë 31.05.2025 nga Policisë së Kosovës, me ç’rast bizneset që kanë gjoba të papaguara, nuk po mund t’i regjistrojnë veturat e tyre pa i paguar të gjitha gjobat, pavarësisht se cili automjet është ndëshkuar, dhe kjo po ndikon në funksionimin normal të bizneseve, qarkullimin ekonomik dhe të drejtën për ushtrim të veprimtarisë së tyre.

DhTIK vlerëson se me këto veprime është shkelur Neni 46, paragrafi 1 i Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se e drejta e pronës është e drejtë e garantuar. Pra, zbatimi i Ligjit nr 08/L-186 PËR RREGULLAT E TRAFIKUT RRUGOR, Neni 89, paragrafi 4, i pamundëson pronarit të pronës, qasjen dhe shfrytëzimin e pronës, duke e bllokuar dhe pamundësuar shfrytëzimin e pronës së tij.

Zyrtarët policorë e kanë mbështetur këtë praktikë në Nenin 89 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili rregullon ekskluzivisht ndalesat e parkimit të automjeteve në vende të caktuara dhe masat që ndërmerren kur shoferi nuk i përgjigjet thirrjes së Policisë me ç’rast konsiderojmë se është vendosje arbitrare e paragrafit 4 në nenin tematikisht të kufizuar.

Paragrafi 4 i Nenit 89 është futur në mënyrë të pa konsultuar dhe të pakoordinuar në një nen që ka për objekt vetëm ndalesat e parkimit. Kjo përbën një kontrabandim normativ që krijon pasiguri ligjore dhe hap rrugën për interpretime të rrezikshme në praktikë.

Kjo praktikë po pamundëson regjistrimin e automjeteve që nuk kanë asnjë gjobë, duke bllokuar qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve dhe angazhimeve kontraktuale.

Si pasojë, bizneset po pësojnë humbje të drejtpërdrejta financiare dhe po cenohen në të drejtën për të ushtruar aktivitetin e tyre. Gjithashtu kjo praktike ndikon drejte për së drejti në rritjen e numrit të veturave të paregjistruara në trafik.

Edhe në takimin e mbajtur muajin e kaluar me ARC-në dhe Policinë e Kosovës, Dhoma ka rekomanduar që të bëhet pezullimi i menjëhershëm dhe rishikimi i interpretimit të Nenit 89 në përputhje me qëllimin dhe objektin e tij ligjor.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy