Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot përsëri nga ora 11:00 në një tjetër përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e 9-të të Kuvendit. Kjo shënon tentimin e 44-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, proces ky që po vazhdon të bllokohet nga mospajtimet ndërmjet partive politike lidhur me mënyrën e votimit.
Edhe pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, situata mbetet e pandryshuar. Palët po e interpretojnë në mënyra të ndryshme këtë vendim, çka ka ndikuar në vazhdimin e ngërçit institucional.
Lëvizja Vetëvendosje po këmbëngul se votimi i fshehtë është një praktikë legjitime dhe jo antikushtetuese. Përmes kësaj forme të votimit, synohet që kandidatja e saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të marrë mbështetjen e nevojshme, pasi nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme në votimin e hapur.
Megjithatë, partitë tjera parlamentare e kundërshtojnë ashpër këtë qasje, duke thënë se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë dhe se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të bëhet me votim të hapur, ashtu siç është vepruar në praktikat e deritanishme parlamentare.
Përplasjet politike rreth interpretimit të aktgjykimit po thellojnë krizën institucionale në vend, ndërsa mbetet e paqartë nëse seanca e sotme do të sjellë ndonjë zhvillim të ri drejt zgjidhjes së bllokadës.
Ndërkohë, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësim për zvarritjen e këtij procesi, duke kërkuar nga të gjitha palët përgjegjësi dhe kompromis për të garantuar funksionalitetin e institucioneve të zgjedhura.