Të paktën 161 persona rezultojnë ende të zhdukur në Teksas pas përmbytjeve të paprecedenta që goditën shtetin javën e kaluar, duke shkaktuar shkatërrime masive dhe viktima të shumta. 109 jetë të humbura janë konfirmuar deri më tani, ku 94 prej tyre vetëm në qytetin Kerrville, një prej zonave më të prekura nga përmbytjet.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, në një deklaratë për mediat ka përshkruar situatën si “katastrofa natyrore më vdekjeprurëse që ka përfshirë shtetin në dekada”, duke shtuar se përmbytjet u shkaktuan nga një “mur uji” 9 metra i lartë, i cili përfshiu qytetet dhe zonat rurale me shpejtësi të madhe, pa dhënë shumë kohë për evakuim.
“Pavarësisht paralajmërimeve për reshje të dendura dhe stuhi, askush nuk mund ta parashikonte përmasën e kësaj tragjedie,” tha Abbott. Ai theksoi gjithashtu se Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar pa ndërprerje, me përfshirjen e helikopterëve, dronëve dhe qindra pjesëtarëve të ekipeve të emergjencës, përfshirë FBI-në, Gardën Kombëtare dhe ekipet lokale të zjarrfikësve dhe mjekëve.
Ndër të zhdukurit janë raportuar edhe pesë vajza kampiste dhe një këshilltare nga Kampi Mystic, një vendpushim i njohur veror për fëmijët në jugperëndim të Teksasit. Autoritetet shprehen se terreni i përmbytur dhe rrënimi i infrastrukturës po e vështirëson ndjeshëm aksesin në zona të izoluara.
Përmbytjet kanë rrënuar shtëpi, ura, rrugë dhe objekte publike, ndërsa mijëra njerëz janë evakuuar dhe aktualisht strehohen në qendra emergjente. Furnizimi me energji elektrike, ujë të pijshëm dhe shërbime mjekësore mbetet i kufizuar në shumë komunitete.
Ndërkohë, përmbytje të rënda janë raportuar edhe në shtetin fqinj, New Mexico, ku autoritetet kanë lëshuar alarme të nivelit të lartë për banorët e zonës Ruidoso. Disa shtëpi janë përmbytur atje dhe operacionet e shpëtimit po zhvillohen paralelisht me ato në Teksas.
Shtetet e Bashkuara ndodhen aktualisht në një gjendje të jashtëzakonshme klimatike, me frekuencë dhe intensitet në rritje të ngjarjeve ekstreme të motit, duke ngritur shqetësime për gatishmërinë infrastrukturore dhe efektivitetin e sistemeve të reagimit emergjent.