Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar sot për vdekjen tragjike të Agon Zejnullahut, 27 vjeçarit që humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje policore në Lipjan.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë kalimtare, Kurti shprehu ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe bëri thirrje për një hetim profesional dhe të gjithanshëm, duke theksuar se drejtësia mund të vendoset vetëm përmes bashkëpunimit të plotë institucional.
“Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllime familjes Zejnullahu për humbjen e madhe. Lajmi për vdekjen e Agonit na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka është bërë publike falë incizimeve të dëshmitarëve, por për të kuptuar gjithçka, duhet një hetim profesional. Kërkoj bashkëpunim të plotë mes Policisë, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë”, tha Kurti.
Pesë zyrtarë policorë janë aktualisht në paraburgim, ndërsa hetimet janë në zhvillim. Kryeministri në detyrë theksoi rëndësinë e një procesi të shpejtë dhe të paanshëm që do të hedhë dritë mbi të gjitha rrethanat.
Në reagimin e tij, Kurti u ndal edhe te mënyra se si rasti është trajtuar publikisht, duke paralajmëruar për tendenca të dëmshme për krijimin e një narrative anti-policore.
“Shërbimi në uniformë është fisnikëri, por autoriteti mbart përgjegjësi. Diskutimet publike dhe gjykimet paraprake janë të vështira për familjen e të ndjerit dhe miqtë e tij. Tendenca që të nisë një anti-fushatë ndaj Policisë është e gabuar dhe e dëmshme”, theksoi ai.
Kurti nënvizoi se kërkesat për drejtësi janë legjitime, por se ato duhet të mbështeten në fakte dhe rezultatet e hetimit.
“Thirrjet për drejtësi janë të drejta, por ato realizohen përmes institucioneve dhe hetimeve të plota. Vetëm kështu sigurohemi që ka llogaridhënie, dhe parandalojmë përsëritjen e rasteve të tilla tragjike”, përfundoi ai.
Rasti i vdekjes së Agon Zejnullahut ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime për mënyrën e përdorimit të forcës nga ana e policisë. Hetimet pritet të hedhin dritë mbi atë se çfarë ndodhi saktësisht gjatë ndërhyrjes në Lipjan.