Shirat e rrëmbyeshëm që goditën shtetin jugperëndimor të SHBA-së, New Mexico, sollën pasoja shkatërruese në vendpushimin malor të Ruidoso, ku përmbytjet e menjëhershme lanë pas tri viktima – përfshirë dy fëmijë të moshës 4 dhe 7 vjeç.
Sipas autoriteteve vendore dhe zyrtarëve të emergjencave, viktimat u rrëmbyen nga ujërat e turbullta, të cilat përfshinë banesa dhe rrugë, duke bllokuar dhjetëra persona brenda shtëpive dhe makinave të tyre.
Pamje tronditëse të publikuara në rrjet tregojnë një shtëpi të tërë që shkëputet nga themelet dhe zhduket nën rrjedhën e fuqishme të ujit, ndërsa lumi Ruidoso kthehet në një përbindësh baltërash dhe rrëmuje.
Banorët përshkruajnë momentet si apokaliptike, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje për të gjetur të zhdukurit dhe për të ndihmuar të bllokuarit.