Në një përshkallëzim të paprecedentë të agresionit ushtarak, Ukraina deklaroi të mërkurën se Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ajror të luftës që nga fillimi i pushtimit në vitin 2022, duke lëshuar 728 dronë dhe 13 raketa, shumica e të cilave u drejtuan ndaj perëndimit të vendit.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, sistemet e mbrojtjes ajrore arritën të neutralizojnë 711 nga dronët dhe të shkatërrojnë të paktën shtatë raketa, duke shmangur një katastrofë të mundshme në disa rajone kyçe të vendit. Sulmi masiv e kalon rekordin e mëparshëm rus prej 550 dronësh dhe raketash, i regjistruar më herët gjatë këtij muaji.
Presidenti Volodymyr Zelensky reagoi menjëherë pas sulmit, duke e cilësuar atë si një provokim të qartë në një kohë kur “po bëhen përpjekje të shumta për arritjen e paqes dhe armëpushimit”. Në një mesazh në rrjetet sociale, ai u bëri thirrje aleatëve ndërkombëtarë që të rrisin presionin ekonomik ndaj Moskës.
“Ky është një sulm tregues. Vetëm Rusia po i minon përpjekjet për paqe. Partnerët tanë dinë si të ushtrojnë trysni, veçanërisht përmes sanksioneve ndaj sektorit të energjisë, që është burimi kryesor i të ardhurave të luftës për Kremlinin,” shkroi Zelensky.
Në qytetin perëndimor të Luck, prefekti Igor Polishchuk konfirmoi se një “ndërmarrje” është përfshirë nga flakët si pasojë e sulmit, por fatmirësisht nuk ka të lënduar apo viktima të raportuara.
Zyrtarët ukrainas e lidhin këtë sulm të përmasave të jashtëzakonshme me vendimin e fundit të SHBA-së për të rifilluar furnizimin me armë ndaj Ukrainës. Andriy Yermak, shefi i stafit të Presidentit, u shpreh në rrjetet sociale:
“Rusia kreu këtë sulm si përgjigje ndaj njoftimit publik të SHBA-së për mbështetjen ushtarake. Është një përpjekje e qartë për të treguar forcë, por gjithashtu një dëshmi e dëshpërimit të saj.”
Sulmi masiv sinjalizon një fazë të re të luftës, ku Rusia po shfrytëzon dronët dhe arsenalin ajror për të goditur thellë brenda territorit ukrainas, ndërkohë që bisedimet për paqe mbeten të bllokuara dhe tensionet ndërkombëtare sa vijnë e shtohen./REL