Skandali i radhës që rëndon mbi uniformën e rendit në Kosovë ka emrin Agon Zejnullahu. I ri, 27 vjeç, vdiq mesnatën e 6 korrikut në rrugë, me pranga në duar dhe me trupin e bllokuar nga policë që e arrestuan me pretekstin se po sillte rrezik publik. Por tani, sipas një deklarate alarmante të Ehat Miftarajt nga IKD, autopsia sipas tij thotë qartë: ai u ngulfat nga policia.
Pamjet tronditëse që qarkulluan shpejt në media dhe rrjete sociale tregojnë gjithçka: një trup i shtrirë, disa policë mbi të, dhe një gjunjë në qafën e Agonit — një veprim brutal, çnjerëzor dhe fatal. E megjithatë, të vetmet “masa të ndihmës” që ofruan policët pasi i riu nuk po jepte më shenja jete, ishin disa pika uji të hedhura në fytyrë… një përpjekje amatoreske, që për dikë mund të ngjajë më shumë si përpjekje për të larë duart sesa për të shpëtuar një jetë.
Policia e Kosovës reagoi duke thënë se Agoni ishte “i dhunshëm dhe nën ndikimin e alkoolit”, por kjo nuk e ndryshon faktin se ishte i prangosur, i bllokuar, dhe në kontroll të plotë të forcave të rendit kur dha frymën e fundit. Dhe tani, Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas Miftarajt, po tregon të vërtetën që autoritetet mund të kenë dashur ta fshehin: ngufatja është shkaktari i vdekjes.
“Policët kanë ndikuar – në njëfarë mënyre – në vdekjen e të riut”, deklaron Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, një rreshter dhe katër policë të tjerë janë arrestuar, me akuzën e lehtë “vrasje nga pakujdesia”. Por për shumëkënd, kjo nuk është pakujdesi – është dhunë sistematike që po përfundon në tragjedi.
Sot, të pestë do të dalin para gjykatës për masë sigurie. Por pyetja që trondit opinionin është: Sa Agonë duhet të vdesin që policia të mos fshihet më pas fjalëve si “neutralizim” dhe “procedurë”? Dhe më e rëndësishmja: A do të ketë ndonjëherë drejtësi për të vdekurit në pranga?
Ky rast nuk është vetëm një tragjedi personale – është një kambanë alarmi për një sistem që po rrëshqet nga siguria drejt frikës.