Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka shënuar një rritje të ndjeshme të të hyrave tatimore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025. Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, njoftoi të enjten në një konferencë për media se janë inkasuar gjithsej 524.1 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 50.9 milionë euro ose 10.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Murtezaj theksoi se ky sukses është rezultat i përkushtimit dhe implementimit të prioriteteve strategjike, përfshirë luftimin e ekonomisë joformale, modernizimin teknologjik, dhe përmirësimin e kulturës tatimore në vend.
“Gjatë këtyre gjashtë muajve, ATK-ja ka vazhduar me përkushtim të zbatojë prioritetet strategjike… Inkasuam mbi 524.1 milionë euro, që paraqet një rritje prej 11% në krahasim me vitin paraprak,” deklaroi Murtezaj.
Një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të ATK-së ka qenë edhe reforma në sistemin e fiskalizimit, e cila po kalon nga një qasje tradicionale harduerike në një qasje moderne softuerike.
Murtezaj theksoi se kjo reformë është inicuar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe po zbatohet me mbështetjen financiare të UNDP-së.
“Është zhvilluar aplikacioni i ri që do ta mundësojë këtë transformim thelbësor. Kjo do të sjellë efikasitet më të madh, transparencë dhe lehtësim për tatimpaguesit,” tha ai.
Një tjetër pikë e rëndësishme e prezantimit ishte raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), bazuar në anketën ISORA për matjen e performancës globale të administratave tatimore. Sipas Murtezajt, ATK ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në 7 nga 8 indikatorët matës, duke tejkaluar mesataren e vendeve në zhvillim dhe duke arritur nivele të krahasueshme me vendet e BE-së.
“Bazuar në këtë raport të FMN-së, ATK-ja po transformohet nga një administratë e brishtë në një institucion modern dhe të krahasueshëm me administratat më të zhvilluara në botë,” theksoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm bëri të ditur se të gjitha aktivitetet e ATK-së janë të harmonizuara me Planin Strategjik 2022–2026, i cili synon ta vendosë këtë institucion në standardet e administratave më të avancuara në nivel global.
“Ky plan është baza që po na çon drejt një administrate që nuk është vetëm funksionale, por edhe model për rajonin,” përfundoi Murtezaj.