Fadil Nura tërhiqet nga gara për Skenderajn, mbështet rikandidimin e Sami Lushtakut: “PDK nuk thyhet kurrë”

by engel

Kryetari aktual i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të jetë kandidat për një mandat të ri në krye të komunës. Përmes një postimi publik në profilin e tij në rrjete sociale, Nura ka bërë të ditur vendimin, duke e konsideruar si një kapitull të përmbyllur me sukses në shërbim të qytetarëve dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Në të njëjtin postim, ai ka bërë të ditur mbështetjen e plotë për Sami Lushtakun, i cili pritet të rikthehet në garën për kryetar të Skenderajt. Lushtaku nuk kishte mundur të kandidonte në zgjedhjet e fundit për shkak të pengesave ligjore, ndërsa Nura kishte marrë përsipër garën dhe drejtimin e komunës gjatë kësaj periudhe.

banner

“Sot, në takimin e Kryesisë së Degës, i dhamë përkrahjen e plotë kryetarit të Degës, Sami Lushtaku, në kandidaturën e tij për kryetar të ardhshëm të Komunës së Skenderajt”, shkroi Nura.

Duke reflektuar mbi mandatin e tij, ai u shpreh se përkundër sfidave në qeverisje dhe brenda partisë, ndjehet i plotësuar me punën e bërë. Ai vlerësoi projektet e realizuara gjatë këtij mandati dhe shprehu besimin se ato do të vazhdojnë me sukses nën drejtimin e Lushtakut.

“Punët e mira që nisëm gjatë këtij mandati… do të vijojnë edhe në mandatin e ri me kryetarin e ardhshëm, gjeneral Sami Lushtaku”, shtoi ai, duke i uruar mirëseardhje në skenën ekzekutive të komunës: “Mirë se u ktheve, kryetar Lushtaku! Të priftë e mbara!”

Nura mbetet i angazhuar politikisht si sekretar i Degës së PDK-së në Skenderaj dhe ka lënë të hapur mundësinë për angazhime të mëtejshme në betejat politike dhe administrative.

Me këtë zhvillim, gara për kryetar të Skenderajt merr një tjetër dinamikë, ku rikthimi i Sami Lushtakut pritet të trazojë jo vetëm skenën lokale, por edhe të ndikojë në konfigurimet e brendshme të PDK-së në rajon.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy