Një 25-vjeçar është ndëshkuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj pas kapjes duke drejtuar automjetin në kundërshtim me masën e mëhershme të ndalimit të drejtimit. Incidenti ndodhi në rrugën “12 Qershori”, gjatë një kontrolli të rregullt të njësive policore të trafikut.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë Rajonale të Ferizajt, i riu me inicialet B.K. është hasur duke drejtuar veturën ndonëse ndaj tij ishte në fuqi masa e ndalimit të patentë shoferit, e vendosur nga 17 prilli deri më 16 korrik 2025.
“Si pasojë, ndaj tij është shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh për kundërvajtje në trafik, janë aplikuar pesë pikë negative në patentë shofer dhe është vendosur masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit për një periudhë prej 6 muajsh,” thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se, për shkak të pikëve të akumuluara dhe shkeljeve të përsëritura, është vendosur edhe një masë mbrojtëse shtesë prej 12 muajsh, si dhe është konfiskuar vetura që po drejtohej nga i riu.
Policia Rajonale e Ferizajt thekson se kontrollet në komunikacion do të vazhdojnë me intensitet të lartë, me qëllim të ngritjes së sigurisë në rrugë dhe respektimit të ligjeve nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik.