Nuk ndalet me “zbulimet” gazetari Lirim Mehmetaj, i cili sot ka publikuar dokumente që hedhin dritë mbi një marrëdhënie të çuditshme – e për disa, shumë të njohur – mes “gazetarisë së pavarur” dhe “bujarisë qeveritare”. As më pak e as më shumë, gazetari i RTK-së, Blerim Haxhijaj, njeriu që i bëri pyetjen që do të mbetet gjatë në kujtesë dhe në analet e intervistimit shqiptar: “Sa e vështirë është të jesh kaq i mirë, z. Kurti?”
Epo, duket se të jesh “kaq i mirë” me pushtetin, nuk të le me duar thatë dhe pa shpërblim.
Sipas Mehmetajt, Haxhijaj ka përfituar plot 100 mijë euro nga Qeveria Kurti, jo si gazetar, natyrisht, por si… drejtues i një OJQ-je me emrin ambicioz “Cult Club”. Dhe jo një herë, por në tri këste të këndshme: fillimisht 40 mijë euro, pastaj dy herë nga 30 mijë euro – se siç duket, dashuria ndaj qeverisë është më e ëmbël kur ndahet në pjesë.
Si për ironi të fatit (ose ndoshta jo), drejtore e kësaj OJQ-je qenka gruaja e Haxhijajt. A nuk është kjo ajo që në manualet klasike të qeverisjes njihet si “ndërlidhje efektive publike-private”?
Kjo “marrëdhënie harmonike” midis intervistuesit dhe të intervistuarit, ku nuk mungojnë as buzëqeshjet, as subvencionet, ka ngritur shumë pikëpyetje në publik dhe komunitetin gazetaresk. A është kjo gazetari apo zyrë për marrëdhënie me publikun të qeverisë? A është intervista një produkt informativ apo një letër falënderimi për pagesën?
Për t’u kthyer te intervista komike me kryeministrin në dorëheqje, nëse dikush kishte përshtypjen se pyetjet ishin si për një kandidat për çmimin Nobel të Paqes – tani është mëse e qartë pse ndodhi ashtu.
Teksa qytetarët paguajnë taksat me përpikëri, disa gazetarë i përdorin këto taksa për të përmirësuar – jo vetëm imazhin e politikanëve – por edhe buxhetin e familjes.
Në fund të fundit, ndoshta pyetja më e ndershme për t’i bërë një politikanit nuk është “sa është e vështirë të jeni kaq i mirë?”, por: “Sa më paguan që të të quaj të tillë?”