Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar menjëherë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka shpallur si në përputhje me Kushtetutën ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale, të miratuara nga Qeveria në vitin 2023.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Murati theksoi se ligji i kontestuar kishte për synim t’u ofronte përfitime financiare personave të larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve të ’90-ta, si një formë e riparimit të padrejtësive historike.
“Kjo skemë parasheh përfitim për personat e larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve të 90-ta,” shkroi ai.
Murati gjithashtu e cilësoi këtë vendim si një tjetër konfirmim të drejtësisë së reformave të ndërmarra nga Qeveria, duke kujtuar se kjo është hera e tretë që Gjykata Kushtetuese e mbështet legjislacionin e propozuar nga kabineti qeveritar. Ai përmendi edhe Ligjin për Pagën Minimale dhe Ligjin për Tatimin në Pronë si raste të ngjashme, që ishin kontestuar nga opozita por u vlerësuan si kushtetues nga gjykata.