Pas zhvillimeve të fundit që pasuan vdekjen tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu gjatë një ndërhyrjeje policore në Lipjan, Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime të reja organizative. Komandanti i Trafikut Rajonal në Ferizaj, Brahim Shatrolli, është caktuar si komandanti i ri i Stacionit Policor në Lipjan.
Vendimi është lëshuar zyrtarisht dhe konsiderohet pjesë e masave për të rritur besimin e qytetarëve dhe për të garantuar funksionim të pavarur e të përgjegjshëm të strukturave policore lokale. Brahim Shatrolli pritet të marrë zyrtarisht detyrën brenda ditëve në vijim.
Komandanti aktual, Argjend Gashi, ka ofruar dorëheqjen e tij si akt moral pas incidentit që çoi në vdekjen e të riut nga Lipjani. Në një prononcim për media, Gashi ka konfirmuar largimin nga pozita, por shton se ende nuk është vendosur për pozitën e tij të re në kuadër të Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, pesë zyrtarë policorë janë suspenduar dhe ndodhen në paraburgim, të dyshuar për përfshirje në rastin e vdekjes së Agon Zejnullahut. Të arrestuarit janë: Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor në Lipjan; Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri – zyrtarë të të njëjtit stacion; si dhe Endrit Beqiri, zyrtar policor në Ferizaj. Ata po përballen me akuzën për “vrasje nga pakujdesia”.