Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një proces më i thjeshtë sesa ai i Ukrainës, dhe se kjo mund të bëhet realitet nëse mbështetet fuqimisht nga presidenti amerikan Donald Trump dhe Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Në një diskutim të mbajtur në Universitetin prestigjioz Johns Hopkins në Washington D.C., Osmani theksoi se roli i Shteteve të Bashkuara është vendimtar në këtë drejtim. Ajo tha se përfshirja e drejtpërdrejtë e presidentit amerikan dhe udhëheqësit të NATO-s mund të ndikojë në bindjen e pesë shteteve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është aq kompleks sa anëtarësimi i Ukrainës. Është më i thjeshtë në kuptimin që SHBA-të të thonë se kjo duhet të ndodhë, sepse janë aleati më i madh dhe më i fuqishëm i NATO-s,” deklaroi Osmani.
Duke folur për Mark Rutte-n, sekretarin e sapozgjedhur të NATO-s, Osmani u shpreh se ai është në harmoni të plotë me politikën e presidentit Trump dhe se bashkë mund ta shtyjnë përpara këtë proces historik për Kosovën.
“Nëse kjo dyshe do që kjo të ndodhë, ata mund t’i bindin pesë shtetet mosnjohëse,” tha ajo.
Sipas saj, përpjekjet më të mëdha në këtë drejtim do të duhej të përqendroheshin ndaj Spanjës, Rumanisë dhe Sllovakisë, ndërsa për Greqinë ajo theksoi se “nuk ka qenë asnjëherë bllokuese ndaj Kosovës”.
Presidentja e Kosovës argumentoi gjithashtu se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk ka vetëm vlerë strategjike, por edhe ekonomike për vetë Aleancën.
“Ju do ta keni një anëtar që kontribuon. Një anëtar që menjëherë do të rrisë shpenzimet për mbrojtje në 5% të GDP-së. Dhe kjo mendoj që është në interes të të gjitha shteteve,” përfundoi Osmani.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur debati për zgjerimin e NATO-s është rikthyer fuqishëm në skenën ndërkombëtare, në sfondin e tensioneve në Evropën Lindore dhe nevojës për rikonfigurim strategjik të Aleancës.