Prokuroria Speciale e Sllovenisë ka përmbyllur fazën paraprake të hetimeve në lidhje me përfshirjen e Martin Berishajt në skandalin financiar të ndërmarrjes energjetike GEN-i Beograd, duke ia dorëzuar çështjen autoriteteve serbe për ndjekje penale.
Sipas raportimeve të Radiotelevizionit të Sllovenisë, organet hetimore sllovene kanë konstatuar dyshime të bazuara për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo besimit në veprimtari ekonomike, por për shkak se Berishaj është shtetas i Serbisë dhe veprimet dyshohet se janë kryer në territorin serb, çështja është transferuar në kompetencë të Prokurorisë së Serbisë.
Prokuroria sllovene ka theksuar se të gjitha provat përkatëse ndodhen në Serbi dhe se vendi fqinj nuk i ekstradon shtetasit e tij, duke e bërë të pamundur vazhdimin e procedurave penale në Slloveni.
Hetimet u nxitën nga publikimi i dokumenteve të një agjencie të huaj për parandalimin e pastrimit të parave, vetëm tre ditë para zgjedhjeve parlamentare në Slloveni. Dokumentet flisnin për pagesa të mëdha nga GEN-i Beograd drejt dy kompanive të Berishajt, të regjistruara në Kosovë dhe Mal të Zi, të dyja me emrin MB Consulting.
Sipas të dhënave, kompanitë e Berishajt kanë marrë më shumë se 2 milionë euro në disa këste, ndërsa ai vetë dyshohet se ka tërhequr afro 1.8 milionë euro në para të gatshme, duke ngritur pikëpyetje serioze në opinionin publik mbi natyrën e shërbimeve të ofruara dhe qëllimin e këtyre transaksioneve.
Kontratat ishin nënshkruar nga Borislav Antoviq, këshilltar financiar në GEN-i Beograd, i cili ka refuzuar të komentojë pa lejen e punëdhënësit. Ish-drejtuesi i GEN-i Beograd, Igor Koprivnikar, dhe zyrtarët e komunikimit të kompanisë, nuk kanë dhënë sqarime shtesë lidhur me këtë rast.
Në një dëshmi para një komisioni hetimor parlamentar në Kosovë, Martin Berishaj ka deklaruar se ai nuk ka qenë i përfshirë në shitjen e energjisë, por ka ofruar këshilla strategjike politike për kompaninë.
“Unë e këshilloja se si duhet të vepronte politikisht kompania. Nuk kam pasur të bëj me shitjen e energjisë,” deklaroi ai në nëntor të vitit 2022.
Nga ana tjetër, Maks Helbl, kryetar i bordit të GEN-i Sllovenia, ka thënë në shkurt 2023 se pagesat për Berishajn përbënin vetëm 0.5% të vlerës së kontratave për furnizim me energji në Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi. Sipas tij, Berishaj kishte ndihmuar me informacione për gjendjen e sistemit energjetik dhe rreziqet në tregun rajonal.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetime të ndara kundër Berishajt, jo vetëm për lidhjet me GEN-i, por edhe për dyshime për pastrim parash, shmangie nga tatimi dhe raportim të rrejshëm të pasurisë. Ai është intervistuar për herë të parë në mars të vitit të kaluar dhe sërish më 26 qershor 2025.
Përveç kësaj, ndaj tij është ngritur edhe një procedurë tjetër për dyshime në keqpërdorim të procesit të transportimit të votave nga diaspora në zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Për momentin, mbetet në dorën e autoriteteve serbe të vendosin për rrjedhën e mëtejshme të procedurës penale ndaj Martin Berishajt, një figurë që ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për lidhjet e tij me qarqe të ndryshme politike dhe ekonomike në rajon.