Një javë pas aksidentit tragjik në Spanjë ku humbën jetën futbollisti i njohur i Liverpool-it, Diogo Jota (28), dhe vëllai i tij André (26), është thyer heshtja e njërit prej dëshmitarëve kyç të ngjarjes – shoferi i kamionit që ndodhej në vendin e ngjarjes. Ai ka vendosur të flasë për herë të parë, duke ofruar një version ndryshe nga ai që deri tani është bërë publik nga autoritetet spanjolle.
Sipas dëshmisë së dhënë nga shoferi i kamionit, Zhoze Azevedo, automjeti i tipit “Lamborghini Huracan”, me të cilin udhëtonin dy vëllezërit, nuk ishte duke lëvizur me shpejtësi të madhe, siç është pretenduar nga policia. Ai pohon se e ka parë momentin e aksidentit, madje e ka filmuar atë, dhe u përpoq të ndihmonte, por fatkeqësisht nuk mundi të shpëtonte askënd.
“Nuk po lëviznin me shpejtësi të lartë. E kam ndërgjegjen e pastër. E pashë shumë qartë makinën dhe gjithçka që ndodhi atë natë. Ai segment rruge është i errët dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm.”, – deklaroi Azevedo për mediat.
Sipas tij, gjatë tentativës për parakalim, një nga gomat e makinës ka shpërthyer, çka ka bërë që automjeti të dalë jashtë kontrollit, të dalë nga rruga dhe më pas të marrë flakë. Dëshmitarë të tjerë kanë raportuar dy shpërthime të njëpasnjëshme – e para e lidhur me shpërthimin e gomës dhe e dyta me ndezjen e rezervuarit të karburantit.
Megjithatë, zëdhënësi i policisë lokale ka theksuar se, sipas analizave të para, automjeti ka qenë duke udhëtuar me shpejtësi mbi 120 km/h, duke ngritur dyshime për kontributin e shpejtësisë në humbjen e kontrollit.
Policia vijon hetimet, përfshirë analizimin e gjurmëve të gomave në asfalt dhe pritet të kryhen ekspertiza të reja për të përcaktuar saktësisht rrethanat e aksidentit. Dëshmia e shoferit të kamionit mund të ndryshojë rrjedhën e hetimeve dhe të hedhë dritë mbi të vërtetën e asaj nate fatale që tronditi botën e futbollit.