Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Njësitin Antidrogë të Policisë së Kosovës, ka zhvilluar një aksion të suksesshëm në kuadër të luftës kundër narkotikëve, ku është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e drogës dhe dy armë zjarri.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se gjatë bastisjes është sekuestruar rreth 1 kilogram substancë narkotike, ndërsa personi i dyshuar është ende në arrati.
“Drejtoria e Pejës, në bashkëpunim me njësitin antidrogë, ka realizuar një bastisje ku janë konfiskuar rreth 1 kilogram drogë dhe dy armë. Personi i dyshuar ndodhet në arrati, dhe Policia po punon në mënyrë intensive për ta lokalizuar dhe arrestuar atë,” deklaroi Nikçi.
Operacioni është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve të drejtësisë për të luftuar trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në rajonin e Pejës dhe më gjerë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e të dyshuarit për shkak të vazhdimit të hetimeve, por kanë siguruar opinionin publik se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për ta vënë atë para drejtësisë.