Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Bosnje dhe Hercegovinë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Ceremonia do të mbahet në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari.
Kryeministri Kurti do të udhëheqë delegacionin e Kosovës, i cili përbëhet nga zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministrja e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, përfaqësuese e komunitetit boshnjak në Kosovë.
Qeveria e Republikës së Kosovës, vitin e kaluar, ka shpallur 11 korrikun si ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës, duke nderuar viktimat e kësaj tragjedie dhe duke rikonfirmuar përkushtimin për drejtësi dhe pajtim në rajon.