Mijëra qytetarë nga veriu i Mitrovicës kanë firmosur një peticion kundër ndërtimit të dy urave të reja që parashikohen të lidhin pjesën veriore me atë jugore të qytetit. Peticioni, i cili u nënshkrua gjatë tri ditëve të kësaj jave, u organizua nga Lista Serbe, e cila konfirmoi mbledhjen e 3.628 nënshkrimeve.
Qëllimi i peticionit është ta dërgohet tek përfaqësuesit ndërkombëtarë, dhe jo tek institucionet kosovare, të cilat janë bartëset e projektit. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e qytetarëve që folën për pwr media lokale serbe u shprehën skeptikë për efektin që mund të ketë kjo iniciativë.
“Nuk do të reagojë komuniteti ndërkombëtar, ashtu siç nuk ka reaguar kurrë më parë…”, ishte një nga komentet më të përsëritura nga qytetarët.
Mosbesim ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare
Qytetarët shprehin pakënaqësi dhe mosbesim jo vetëm ndaj autoriteteve në Prishtinë, por edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Ata besojnë se ndërtimi i urave është pjesë e një strategjie për “ndarjen” e mëtejshme të qytetit dhe se zëri i tyre nuk do të merret parasysh.
“Vullneti i qytetarëve nuk është diçka që intereson autoritetet kosovare. Kemi parë shpesh që nuk reagohet ndaj vullnetit të popullit,” tha një i ri mitrovicas.
Një qytetar tjetër shtoi:
“Kjo është një hidër me shumë koka që vepron bashkë. Tash 30 vjet janë bashkuar kundër popullit serb.”
Edhe kur u pyetën nëse ndërtimi i urave do të ndikojë në sigurinë e veriut, përgjigja ishte e qartë:
“Siguria e veriut është tashmë e rrezikuar.” “Jemi tokë e shitur”
Pavarësisht skepticizmit, qytetarët vazhduan të firmosin peticionin, shumica prej tyre “për solidaritet”, edhe pse e shohin këtë veprim si më shumë simbolik sesa efektiv.
“Ne jemi tokë e shitur. Gjithçka që bëjmë është e kotë, por përpiqemi,” tha një grua që kishte nënshkruar peticionin.
Megjithatë, kishte edhe zëra më optimistë që besojnë se “vullneti hyjnor” është në anën e tyre dhe se komuniteti duhet të qëndrojë i bashkuar në përpjekje.
Ndërtimi i dy urave të reja u bë publik nga autoritetet kosovare gati një muaj më parë, ndërsa ceremonia e vënies së gurthemelit u zhvillua para pak ditësh nga kryeministri Albin Kurti. Ky veprim është kundërshtuar fuqishëm nga përfaqësuesit politikë serbë në Kosovë, të cilët e quajnë projektin “urë ndarjeje”.