As pas 45 përpjekjeve, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën të konstituojnë përbërjen e re të legjislativit. Edhe seanca e së premtes përfundoi pa rezultat, pasi dështoi formimi i komisionit për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, një hap procedural kyç për vazhdimin e procesit.
Në sallë ishin të pranishëm 93 deputetë, prej të cilëve 49 votuan pro, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim – çka nuk mjaftoi për të përmbushur procedurën. Seanca e radhës është thirrur për të dielën, nga ora 11:00.
Para dështimit të seancës, disa deputetë të opozitës shfrytëzuan të drejtën për të folur.
Abelard Tahiri i PDK-së e akuzoi kryesuesin Avni Dehari për shkelje të Kushtetutës, duke theksuar se “kjo është hera e 45-të që ai e shkel Kushtetutën”.
Ekrem Hyseni nga LDK-ja i kërkoi Deharit që t’i rikthehet rendit të ditës dhe të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Time Kadrijaj nga AAK-ja deklaroi se në Kuvend po ndodh “një bllokadë e qëllimshme”.
Pas përfundimit të seancës pa sukses, deputetët e opozitës nga PDK, LDK dhe AAK vazhduan të qëndrojnë në sallën e Kuvendit në shenjë proteste, duke mbajtur fjalime në foltore.
Ata e cilësuan këtë qëndrim si reagim ndaj mosrespektimit të aktgjykimit të Kushtetueses nga ana e partisë që ka shumicën në Kuvend.