Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në rrugëtimin e vendit drejt institucioneve euroatlantike. Gjatë vizitës së saj në Washington D.C., Osmani ishte pjesë e një tryeze diskutimi me diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme.
Në fokus të diskutimeve ishin synimet strategjike të Kosovës, veçanërisht anëtarësimi në NATO dhe forcimi i aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidentja publikoi edhe disa fotografi nga takimi, duke ilustruar përkushtimin institucional për avancimin e agjendës euroatlantike.
“Në rrugën e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike, mbështetja e partnerëve dhe aleatëve tanë është jetike,” deklaroi Osmani.
Vizita në SHBA vjen në një moment të rëndësishëm për diplomacinë kosovare, ndërsa institucionet e vendit synojnë të forcojnë lidhjet me aleatët ndërkombëtarë dhe të konsolidojnë pozicionin e Kosovës në skenën globale.