Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka paralajmëruar se nga muaji shtator mund të ndërmarrë masa sindikale, në rast se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk reflekton ndaj kërkesave të tyre të kamotshme.
Përmes një njoftimi për media, SBAShK njoftoi se më 18 korrik, duke filluar nga ora 10:00, do të mbajë Kongresin e radhës, ku pritet të diskutohet situata aktuale në arsim dhe mungesa e bashkëpunimit nga institucionet qeveritare, përkatësisht MASHTI dhe Qeveria e Kosovës.
Temë qendrore e Kongresit do të jetë, sipas SBAShK-ut, “mosgatishmëria e institucioneve për të diskutuar me sindikatën, me theks të veçantë refuzimi i MASHTI-t për të trajtuar Draftin e Kontratës Kolektive të dorëzuar që në tetor të vitit 2024.”
SBAShK thekson se mungesa e dialogut të mirëfilltë social dhe vonesat në trajtimin e kërkesave të punonjësve të arsimit po krijojnë frustrim të madh në mesin e mësimdhënësve dhe punëtorëve të sistemit arsimor.
“Mosveprimi i institucioneve nuk mund të kalojë pa përgjigje. Në Kongres do të shqyrtojmë të gjitha opsionet e mundshme dhe do të marrim vendime për veprime sindikale që do të hyjnë në fuqi nga shtatori, nëse nuk ka lëvizje konkrete nga MASHTI,” thuhet në komunikatën e SBAShK-ut.