Një incident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Komunën e Çairit, ku Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, është sulmuar fizikisht nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja u regjistrua ndërkohë që Arsovska po kryente një vizitë inspektuese për të verifikuar ndërtime që sipas saj janë pa leje.
Sipas deklarimeve paraprake, kryetarja ka qenë e shoqëruar nga ekipi i saj teknik kur, siç thuhet, është goditur në fytyrë nga një individ i panjohur. Pas sulmit, ajo ka kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore dhe është dërguar në urgjencën e Spitalit “8 Shtatori”. Gjendja e saj shëndetësore nuk është bërë e ditur në detaje.
Forcat policore kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur procedurat për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të sulmit. Alsat.mk raporton se ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik.
Danella Arsovska ka qenë aktive në javët e fundit në territorin e Çairit, ku ka deklaruar se po heton ndërtimet pa leje që, sipas saj, janë realizuar gjatë dy mandateve të fundit të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu. Ajo ka dorëzuar dokumentacion mbështetës në organet kompetente, përfshirë policinë dhe prokurorinë.