Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar mbajtjen e një konference për media sot në orën 10:30, në hollin pranë Sallës së Grupit Parlamentar të VV-së.
Përmes një njoftimi zyrtar, partia ka bërë të ditur vetëm kohën dhe vendin e konferencës, pa dhënë asnjë informacion mbi temën apo qëllimin e saj.
Konferenca vjen në një moment kritik, vetëm pak minuta para nisjes së tentimit të 45-të për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës – një proces që ka mbetur i bllokuar për javë të tëra.
Afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përfundimin e konstituimit skadon më 26 korrik, çka ka rritur ndjeshëm presionin mbi partitë politike për të gjetur një zgjidhje dhe për të tejkaluar ngërçin institucional.
Nuk dihet ende nëse kjo konferencë e paralajmëruar do të sjellë ndonjë qëndrim të ri politik apo ndonjë zhvillim të papritur në funksion të zhbllokimit të procesit.