Zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Kosovë, si pjesë e një turneu diplomatik në Ballkanin Perëndimor.
Sipas burimeve të KosovaPress nga ekzekutivi, Hanrahan do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Vizita e tij në rajon përfshin ndalesa në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, me qëllim thellimin e bashkëpunimit bilateral dhe rajonal.
“Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon,” deklaroi Hanrahan në platformën X më 9 korrik, duke sinjalizuar angazhimin e SHBA-së për stabilitet dhe dialog në Ballkan.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, diplomati amerikan pritet të takohet edhe me liderë dhe përfaqësues të partive parlamentare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar pjesëmarrjen e partisë në takim, duke njoftuar se për shkak të një udhëtimi, LDK-në do ta përfaqësojë nënkryetarja Hykmete Bajrami.
Ndërkohë, presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar më parë një takim me Hanrahan gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çka nënvizon intensitetin e komunikimit diplomatik mes Kosovës dhe SHBA-së.